Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare mbetet e hapur, duke vlerësuar se aktualisht gjasat janë 50 me 50.
Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Haziri tha se gjithçka varet nga veprimet e partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Sonte gjasat janë 50/50. Nëse ende nuk ka skenar nga partia e parë dhe nëse replikohet skenari i 28 dhjetorit, atëherë vendi duhet të përgatitet për zgjedhje në verën e vonshme, fatkeqësisht”, deklaroi Haziri.
Ai theksoi se LDK-ja po punon për të shmangur një proces të ri zgjedhor, duke konsideruar se qytetarët nuk meritojnë të ftohen sërish në votime brenda një periudhe të shkurtër.
Megjithatë, Haziri u shpreh se zgjedhjet eventuale mund t’i shkojnë në favor LDK-së, pasi sipas tij partia është në trend rritjeje dhe nuk ka më hapësirë për rënie.
Ai ritheksoi gatishmërinë e LDK-së për bashkëpunim politik në frymën e rezultatit zgjedhor, por shtoi se partia është e gatshme të vazhdojë edhe në opozitë.



