Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për dialog ndërmjet partive politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit të vendit.
Në një intervistë për RTK nga Sofja, Haxhiu tha se fillimisht duhet të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor, duke përfshirë numërimin e votave të mërgatës, votave me kusht dhe atyre me asistencë.
“Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor ne duhet të angazhohemi në takime me partitë politike në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit”, deklaroi ajo.
Sipas Haxhiut, prioritet mbetet përmbyllja e procesit zgjedhor, ndërsa më pas subjektet politike duhet të tregojnë gatishmëri për të shmangur bllokadat institucionale që kanë karakterizuar periudha të caktuara politike në vend.
“Le t’i shohim njëherë përfundimin e procesit të numërimit duke qenë se tashmë janë edhe votat e mërgatës, votat me kusht dhe ato me asistencë. Sapo të mbyllet ky proces është shumë e rëndësishme që të jepet kontribut dhe të dëshmohet vullnet në mënyrë që të mos përballemi me situata sikurse kemi parë edhe në vitin 2025 dhe periudhën që lamë pas”, tha Haxhiu.
Ajo vlerësoi se zgjidhja për postin e presidentit është e mundur nëse ekziston vullnet politik nga të gjitha partitë parlamentare.
“Nëse do të ketë vullnet prej partive politike, do të gjendet zgjidhje. Kemi shumë dallime në çështje të ndryshme të politikave ditore, por për çështjen e presidentit duhet të ulemi dhe të flasim seriozisht dhe të dëshmojmë vullnet”, u shpreh Haxhiu.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur skena politike po pret përfundimin e plotë të procesit zgjedhor dhe certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, hap që pritet t’i hapë rrugë diskutimeve për formimin e institucioneve të reja



