Lajme

Haradinaj sulmon Kurtin: Po përgatiten protesta kundër gazit amerikan, çka don ky njeri nga Kosova?

Kreu i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për kundërshtim të projekteve strategjike energjetike dhe për favorizim të interesave serbe.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj tha se njerëz të afërt me Kurtin po përgatiten për protesta kundër projektit të gazit amerikan, ndërsa ngriti pyetje mbi qëndrimet e tij ndaj bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

“Më 21 nëntor 2018, si Kryeministër i Qeverisë Haradinaj, vendosa taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe”, ka shkruar Haradinaj.

Ai rikujtoi gjithashtu projektin energjetik me kompaninë ContourGlobal, të cilin e kishte nënshkruar gjatë mandatit të tij si kryeministër.

“Më 20 dhjetor 2017, nënshkrova projektin me ContourGlobal për ta bërë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia. Në vitin 2020, Albin Kurti e anuloi këtë projekt, duke i hapur derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia”, u shpreh ai.

Haradinaj pretendoi se Kurti kishte refuzuar edhe projektin amerikan të gazit gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet e varur nga importi i energjisë elektrike, ndërsa paralajmëroi se kundërshtimi i projektit të gazit amerikan është i pakuptimtë.

“Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, deklaroi Haradinaj.

Deklaratat e liderit të AAK-së vijnë në kohën kur debati për projektet energjetike dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara është rikthyer në qendër të vëmendjes politike në Kosovë.