Lajme

Gola në Këshillin e Evropës: Banjska është e vërteta e pakëndshme me të cilën Serbia duhet të përballet

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka kritikuar mënyrën se si sulmi i Banjskës është trajtuar në raportin për Serbinë, i cili u diskutua në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Gjatë fjalës së tij, Gola përgëzoi hartuesit e raportit, por tha se përshkrimi i sulmit të Banjskës si një “përplasje” ndërmjet Policisë së Kosovës dhe personave të armatosur serbë nuk pasqyron natyrën reale të ngjarjes.

Ai rikujtoi se Parlamenti Evropian e kishte cilësuar ngjarjen si një “sulm terrorist” të kryer nga një grup paramilitar serb i armatosur rëndë, ndërsa ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e kishte dënuar si një “sulm terrorist të tmerrshëm dhe frikacak” ndaj Policisë së Kosovës.

Gola theksoi se rasti i Banjskës nxjerr në pah mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të ndërtuar marrëdhënie normale me Kosovën dhe kritikoi faktin që Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Sipas tij, demokratizimi i Serbisë nuk mund të arrihet duke zbutur apo fshehur faktet, ndërsa shtoi se Banjska mbetet një e vërtetë me të cilën Serbia do të duhet të përballet herët ose vonë.