Kryetari i Komunës së Fushë Kosovë, Valon Prebreza, ka njoftuar se është shpallur gjendje emergjente në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.
Përmes një njoftimi publik, Prebreza u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke garantuar se situata do të tejkalohet brenda një kohe të shkurtër.
“Sot kemi shpallur gjendje emergjente në sektorin e mbeturinave. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju sigurojmë se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Fushë-Kosovës falënderoi qytetarët për durimin dhe bashkëpunimin, ndërsa nuk dha detaje shtesë lidhur me arsyet që çuan në shpalljen e gjendjes emergjente apo masat që do të ndërmerren për tejkalimin e situatës.
Autoritetet komunale pritet të dalin me informacione shtesë në ditët në vijim lidhur me menaxhimin e mbeturinave dhe hapat konkretë për normalizimin e gjendjes.



