Partia Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka dalë forca e parë politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, por pa arritur të sigurojë votat e nevojshme për të qeverisur e vetme, shkruan Deutsche Welle.
Sipas rezultateve nga pothuajse të gjitha qendrat e votimit, Vetëvendosje ka fituar rreth 43 për qind të votave, më pak se në zgjedhjet e dhjetorit, kur kishte siguruar 51 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me rreth 21 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17 për qind.
Deutsche Welle thekson se këto janë zgjedhjet e treta brenda 16 muajve në Kosovë, ndërsa kriza politike dhe paqëndrueshmëria institucionale kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit dhe procesin e integrimit evropian.
Zgjedhjet u mbajtën pasi partitë politike nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri të vendit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit. Sipas DW-së, pavarësisht rezultatit të mirë të Vetëvendosjes, zgjedhja e presidentit kërkon të paktën 80 vota në Kuvendin e Kosovës, duke e bërë të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet partive politike.



