Lajme

Edhe Dega II e LDK-së në Prishtinë kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut

Pak orë pasi degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan kërkuan dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe Dega II e LDK-së në Prishtinë.

Përmes një reagimi publik, kjo degë ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj, duke theksuar se rezultatet e fundit zgjedhore kanë thelluar pozitën e partisë si forcë e tretë politike në vend.

Sipas tyre, LDK-ja po rrezikon margjinalizimin politik dhe po humb peshën që tradicionalisht ka pasur në jetën institucionale dhe shtetndërtuese të Kosovës.

“Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por fatkeqësisht rezultatet kanë munguar”, thuhet në reagim.

Dega II e Prishtinës ka kërkuar ndryshime në udhëheqje, duke theksuar se partia ka nevojë për energji të reja, lidership të ri dhe riorganizim të brendshëm për të rikthyer besimin e elektoratit.

Kjo është dega e tretë e LDK-së që brenda një dite kërkon publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, pas degëve të Pejës dhe Lipjanit.