Deficiti tregtar i Kosovës me Italinë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, si rezultat i rritjes së importeve dhe rënies së eksporteve drejt këtij shteti.
Sipas të dhënave të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës, bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importet nga Italia arritën në 369.4 milionë euro, ndërsa eksportet e Kosovës drejt tregut italian ranë në vetëm 28.9 milionë euro.
Si pasojë, deficiti tregtar u thellua në 340.5 milionë euro, duke shënuar rritje prej 16 për qind krahasuar me vitin 2024, kur ishte 293.5 milionë euro.
Raporti tregon se eksportet drejt Italisë kanë rënë për 22.7 për qind brenda një viti, ndërsa importet janë rritur me 11.6 për qind. Mbulueshmëria e importeve me eksporte ka zbritur në vetëm 7.8 për qind, niveli më i ulët në katër vitet e fundit.
Italia mbetet partneri i pestë më i madh importues i Kosovës, me 5.2 për qind të importeve totale, ndërsa në eksportet kosovare renditet e dhjeta me vetëm 3.1 për qind të eksporteve të përgjithshme.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, trendet e viteve të fundit dëshmojnë për një varësi të konsiderueshme të tregut kosovar nga produktet italiane dhe një dobësim të vazhdueshëm të pozitës eksportuese të Kosovës në raport me Italinë.



