Hulumtuesi i organizatës Demokracia në Veprim, Eugen Cakolli, ka deklaruar se rezultati i votave nga diaspora mund të jetë vendimtar për pozitën e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend dhe për mundësinë e formimit të qeverisë së re.
Sipas tij, nëse përsëritet përqindja e votave që VV kishte marrë nga diaspora në zgjedhjet e shkurtit, partia do të siguronte të paktën 50 deputetë, ndërsa mandati i 51-të do të vendosej nga një diferencë e vogël votash.
“Nëse përqindja e shkurtit do të përsëritej me numrin aktual të votuesve të supozuar që kanë votuar jashtë vendit, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 50 deputetë të sigurt dhe do të jetë çështje e dhjetëra votave që ta fitojë edhe deputetin e 51-të”, ka deklaruar Cakolli në Klan Kosova.
Ai theksoi se VV historikisht ka pasur mbështetje të lartë nga votuesit jashtë vendit, duke mos rënë asnjëherë nën 55 për qind të votave të diasporës.
Sipas analizës së tij, nëse partia arrin të sigurojë rreth 70 për qind të votave nga diaspora, mund të arrijë deri në 47 për qind të votave totale, çka do t’i mundësonte të siguronte 53 mandate në Kuvend.
Cakolli shtoi se ekziston edhe një skenar tjetër, ku me rreth 65 për qind të votave të diasporës dhe në rast të një performance më të dobët të LDK-së, VV mund të arrijë minimalisht 52 deputetë.
“Me 53 deputetë po, pasi që do të ishin edhe nëntë deputetë nga radhët e komuniteteve. Në fakt, në rast se LDK nuk performon mirë, mund ta arrijë këtë edhe me vetëm 65 për qind të votave të diasporës dhe do t’i fitonte minimalisht 52 deputetë, por do ta kishte qeverinë me vetëm 61 deputetë”, u shpreh ai.
Rezultati i votave të diasporës pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në përbërjen përfundimtare të Kuvendit dhe në llogaritjet për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.



