Lajme

Cakolli: Nëse vazhdon ky trend i votave me postë, LVV mund të arrijë në 52 mandate

Hulumtuesi i organizatës Demokracia në Veprim, Eugen Cakolli, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje mund të sigurojë deri në 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës, nëse trendi aktual i votimit me postë vazhdon deri në përfundim të procesit të numërimit.

Sipas Cakollit, bazuar në ritmin aktual të numërimit, numri i përgjithshëm i votave të vlefshme me postë pritet të arrijë në rreth 82 mijë e 500.

“Ajo që vërehet deri tani është se trendet e votimit me postë dallojnë nga ato të votimit në ambasada dhe konsullata. Nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve”, ka shkruar ai.

Megjithatë, ai theksoi se ndarja përfundimtare e mandateve ende nuk është përcaktuar, pasi gara mbetet e hapur për disa ulëse parlamentare.

“Gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate tjera mbeten ende të hapura mes partive dhe rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit”, ka shtuar Cakolli.

Procesi i numërimit të votave nga diaspora vazhdon ende në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në përbërjen e legjislaturës së ardhshme.