Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se, bazuar në trendet aktuale të numërimit të votave me postë, Lëvizja Vetëvendosje pritet të arrijë në 53 mandate në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, me numërimin e mijëra votave të mbetura, është pothuajse e sigurt që shpërndarja aktuale e mandateve do të ndryshojë.
“Kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë, tashmë është pothuajse e sigurt që shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë. Sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate”, ka shkruar Cakolli.
Ai theksoi se mbetet ende e paqartë se cilës parti do t’i merret mandati që do ta fitojë LVV-ja.
Sipas Cakollit, në fazën e parë ekziston mundësia që Lidhja Demokratike e Kosovës të humbë mandatin e 19-të, por trendet aktuale tregojnë se në fund më shumë gjasa ka që Partia Demokratike e Kosovës të humbë mandatin e 22-të.
“Gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit”, ka theksuar ai.
Cakolli shtoi se mandati i fundit mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht pasqyrojnë trendin e votimit brenda Kosovës dhe potencialisht mund ta favorizojnë PDK-në.
Sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të mbetet përfundimisht me shtatë ulëse në Kuvend.
Ai po ashtu paralajmëroi se numërimi i votave me postë mund të përfundojë brenda ditës së nesërme, ndërsa votat me kusht deri në mesnatë, duke bërë që i gjithë procesi i numërimit të përmbyllet deri në fund të javës.



