Lajme

Bundestagu rinovon mandatin e ushtarëve gjermanë në KFOR, kërkohet formimi i institucioneve në Kosovë

Bundestagu gjerman ka miratuar edhe një herë zgjatjen e mandatit të forcave të Bundeswehr-it në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke vazhduar angazhimin ushtarak që prej vitit 1999.

Në votimin e mbajtur të enjten, 383 deputetë votuan pro, 192 kundër dhe dy abstenuan. Mandati i ri lejon dislokimin e deri në 400 ushtarëve gjermanë në Kosovë, ndërsa kostoja shtesë e misionit vlerësohet në 35.7 milionë euro.

Gjatë debatit parlamentar, përfaqësues të partive kryesore gjermane vlerësuan se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë. Ata përmendën si sfida marrëdhëniet e pazgjidhura me Serbinë, pasiguritë rreth angazhimit afatgjatë të SHBA-së dhe vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Deputeti i CDU-së, Jürgen Hardt, bëri thirrje që Kosova të formojë sa më shpejt qeverinë dhe të zgjedhë presidentin, duke theksuar se pa funksionalizimin e institucioneve do të jetë e vështirë avancimi drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Nga radhët e socialdemokratëve, Macit Karaahmetoğlu kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, duke theksuar se sulmet në veri të Kosovës ende nuk janë zbardhur plotësisht dhe se një tërheqje e mundshme e mbështetjes ndërkombëtare do të ishte sinjal i gabuar për rajonin.

Ndërkaq, deputeti i të Gjelbërve, Boris Mijatović, tha se zgjedhjet në Kosovë ishin të lira dhe demokratike, por paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme. Duke iu referuar sulmit në Banjskë, ai kërkoi përgjegjësi për organizatorët e sulmit dhe bëri thirrje që Gjermania të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Nga ana tjetër, partia e djathtë AfD votoi kundër vazhdimit të misionit, duke kërkuar përfundimin e pranisë ushtarake gjermane në Kosovë. Kundër votuan edhe deputetët e partisë E Majta, por me argumentin se ndërhyrjet ushtarake nuk sjellin paqe afatgjate dhe se dialogu civil duhet të ketë përparësi.

KFOR mbetet misioni më i gjatë ushtarak i pandërprerë i Gjermanisë jashtë vendit dhe vazhdon të konsiderohet një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë.