Deputeti gjerman nga partia “Të Gjelbrit”, Boris Mijatović, ka folur në Bundestag për situatën në Kosovë, duke vlerësuar procesin zgjedhor të fundit, por duke paralajmëruar se gjendja e sigurisë në rajon kërkon ende vëmendje të veçantë.
Gjatë debatit për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it, Mijatović tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë u zhvilluan në mënyrë demokratike dhe pa incidente.
“Zgjedhjet ishin të drejta, të lira dhe pa incidente”, deklaroi ai.
Megjithatë, deputeti gjerman komentoi edhe vendimin e NATO-s për reduktimin gradual të trupave të KFOR-it, duke theksuar se stabiliteti aktual nuk duhet të krijojë ndjenjë të rreme sigurie.
“Qetësia në shumë raste është mashtruese”, u shpreh Mijatović.
Si shembull ai përmendi sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023, të cilin e cilësoi si një nga incidentet më serioze të sigurisë në veri të Kosovës në vitet e fundit.
“Duhet të pyesim me seriozitet kush është mik dhe kush armik dhe me çfarë mjetesh tinëzare operojnë”, tha ai.
Mijatović rikujtoi gjithashtu se Milan Radojiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë, duke bërë thirrje që ai të përballet me drejtësinë.
Në përfundim të fjalës së tij, deputeti gjerman kërkoi nga qeveria federale e Gjermanisë që të mbështesë më fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshilli i Evropës.
“Luftoni me vendosmëri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo do t’u ndihmonte shumë njerëzve”, deklaroi Mijatović.



