Lajme

Baraliu: Moszgjedhja e presidentit brenda 60 ditësh e çon Kosovën në zgjedhje të reja

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit ose presidentes së Kosovës duhet të jetë prioritet pas konstituimit të Kuvendit, duke paralajmëruar pasoja kushtetuese në rast të mosrespektimit të afateve.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Baraliu tha se Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se mandatin për formimin e Qeverisë e jep presidenti ose presidentja e zgjedhur dhe jo ushtruesi i detyrës.

Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, verifikimit të mandateve dhe konstituimit të Kuvendit, duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe më pas presidenti i vendit, në përputhje me afatet kushtetuese.

Baraliu theksoi se Kushtetuta obligon institucionet që brenda 60 ditësh nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të zgjedhin presidentin e vendit. Ai paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

“Fatkeqësisht, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Baraliu.