Lajme

Arrestohet në Han të Elezit 57-vjeçari i dënuar me pesë vjet burg për sulm seksual

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten një 57-vjeçar në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, i cili kërkohej me urdhër të gjykatës për vuajtjen e një dënimi me burg.

Sipas policisë, arrestimi u bë pasi njësitet policore pranuan informacion se personi i kërkuar ishte parë në rrugën “Jalldezë Krasniqi”. Pas lokalizimit, zyrtarët policorë arrestuan M.B., ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër për ekzekutimin e dënimit.

Autoritetet bëjnë të ditur se 57-vjeçari ishte dënuar me pesë vjet burgim për veprën penale “Sulm seksual”.

Pas përfundimit të procedurave policore në stacionin e Hanit të Elezit, i arrestuari është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.