Lajme

Vrasja e 27-vjeçarit në Prizren: Arrestohen dy burra dhe një grua

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e një 27-vjeçari, e cila ndodhi të dielën pas një përleshjeje në Prizren.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Shtytje në vrasje”, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy burra dhe një grua.

Nga hetimet fillestare dyshohet se viktima është goditur me mjet të mprehtë (thikë), duke pësuar lëndime fatale që i shkaktuan vdekjen. Gjatë incidentit lëndime trupore ka marrë edhe një person tjetër.

“Pas një përleshjeje dyshohet se viktima mashkull kosovar ishte goditur me mjet të mprehtë (thikë) dhe si pasojë ka ndërruar jetë, ndërsa viktima tjetër mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas autoriteteve, tre të dyshuarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas janë intervistuar nga hetuesit. Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.