Lajme

Oda Amerikane: Refuzimi i projekteve të gazit amerikan mund të dëmtojë raportet Kosovë-SHBA

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka paralajmëruar se mosangazhimi i Kosovës në projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) mund të dërgojë sinjale negative drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeka tha se përfshirja në projektet e LNG-së amerikane nuk ka vetëm rëndësi energjetike, por edhe strategjike dhe gjeopolitike. Sipas tij, zgjerimi i rrjetit të gazit amerikan në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor ka qenë një prioritet i vazhdueshëm i administratave amerikane për më shumë se një dekadë.

Ai vlerësoi se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk i është bashkuar kësaj nisme, ndonëse shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur gatishmëri për zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme për importin e gazit të lëngshëm natyror.

Zeka paralajmëroi se mungesa e vullnetit për t’iu bashkuar projektit mund të ketë pasoja jo vetëm në sektorin energjetik, por edhe në raportet strategjike me SHBA-në dhe në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.