Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në disa lokacione të vendit.
Sipas një njoftimi të përbashkët, aksioni po realizohet nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe përfshin hetime për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe “pastrimi i parave”.
Në këtë aksion po marrin pjesë edhe përfaqësues të Europol-it, si dhe autoritete ligjzbatuese nga Belgjika, Franca dhe Holanda, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër rrjeteve të dyshuara kriminale.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se detaje të tjera dhe rezultatet e operacionit do të bëhen publike pas përfundimit të aksionit.



