Lajme

Aksion i madh antidrogë në Kosovë: Sekuestrohen rreth 60 kilogramë marihuanë, arrestohen katër persona

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka zhvilluar një aksion të gjerë pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Operacioni është realizuar në dy lokacione, në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Ferizajt, ku janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë aksionit janë arrestuar katër persona të dyshuar, përfshirë një shtetas të Kosovës, dy shtetas të Serbisë dhe një shtetas të Shqipërisë.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftim.

Përveç sasisë së narkotikëve, autoritetet kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe një kamion, që dyshohet se janë përdorur në aktivitetet e kundërligjshme.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.