Lajme

Abdixhiku refuzon dorëheqjen, i quan “sabotues” kryetarët e degëve në Pejë dhe Lipjan

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan kërkuan dorëheqjen e tij pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit.

Përmes një reagimi publik, Abdixhiku tha se do të kishte qenë më korrekte që kërkesa për dorëheqje t’i bëhej drejtpërdrejt dhe jo përmes mediave, duke kujtuar bashkëpunimin e gjatë me drejtuesit e këtyre degëve.

Ai pranoi se rezultatet në Pejë dhe Lipjan nuk kanë qenë të kënaqshme, por vlerësoi se dalja e LDK-së në vendin e tretë në komuna ku qeveris partia tregon për, siç u shpreh ai, “sabotim të thellë” brenda strukturave lokale.

Abdixhiku konfirmoi se nuk do të japë dorëheqje, duke theksuar se çështja e mandatit të tij është trajtuar në Kuvendin e LDK-së më 31 janar dhe se anëtarësia i ka dhënë mbështetje të qartë.

Në të njëjtën kohë, ai kërkoi dorëheqjen e kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan, duke i konsideruar ata përgjegjës për rezultatet e dobëta në komunat që udhëheqin.

“E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë”, ka shkruar Abdixhiku.