07.06.2026
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa incidente të theksuara në të gjithë vendin.
Në konferencën e mbajtur për media, Radoniqi njoftoi se deri në orën 11:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 162 mijë e 439 qytetarë, që përbën 8.29 për qind të trupit votues.
Sipas tij, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, KQZ ka aktivizuar dhomën operative, ku po bashkëpunojnë përfaqësues të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe KEDS-it.
“Kjo qendër operative është funksionale gjatë gjithë ditës së votimit dhe shërben për koordinimin institucional, monitorimin e situatës në terren dhe trajtimin e çdo raportimi apo shqetësimi që mund të paraqitet gjatë procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.
Ai shtoi se pjesëmarrja në votime deri në këtë orë është pothuajse e njëjtë me atë të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur sipas të dhënave nga 94 për qind e vendvotimeve kishin votuar 165 mijë e 404 qytetarë ose 8.27 për qind e elektoratit.
KQZ ka paralajmëruar se konferenca e radhës për media do të mbahet në orën 15:30, ku do të prezantohen të dhënat e pjesëmarrjes në votime deri në orën 15:00, si dhe ecuria e procesit zgjedhor.
Burimi: Gazet