20.04.2026
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë garancitë më të forta deri më tani përballë shqetësimeve në rritje se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga aleanca. Në një intervistë për Die Welt, Rutte e ka bërë të qartë se mbrojtja e SHBA-së ndaj Evropës mbetet e palëkundur, pavarësisht tensioneve politike.
Përballë frikës së përhapur për ndryshim të kursit të Uashingtonit, Rutte u shpreh se mburoja bërthamore amerikane mbetet shtylla e sigurisë së kontinentit evropian.
“Unë nuk e shoh SHBA-në duke u larguar nga NATO. Ombrella bërthamore amerikane është garantuesi përfundimtar i sigurisë këtu në Evropë. Dhe jam i bindur se do të mbetet e tillë,” theksoi shefi i NATO-s.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Presidenti Donald Trump ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj Aleancës. Në një prononcim për The Telegraph, Trump nuk kurseu kritikat, duke e quajtur NATO-n një “tigër prej letre” dhe duke paralajmëruar se ndihma e SHBA-së nuk është e garantuar nëse aleatët nuk përmbushin obligimet e tyre.
Megjithatë, Rutte, i cili njihet tashmë për raportet e ngushta me kreun e Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se e kupton zhgënjimin e Trumpit me disa shtete anëtare që nuk shpenzojnë sa duhet për mbrojtjen. “Ishte një diskutim i hapur mes dy miqve të mirë,” sqaroi Rutte pas takimit të tyre të fundit më 8 prill.
Rutte e sheh këtë periudhë si një transformim të nevojshëm të NATO-s:
Pavarësisht retorikës së ashpër të Trumpit, analistët shohin pak gjasa për një shkëputje zyrtare. Tërheqja nga NATO kërkon miratimin e dy të tretave të Senatit amerikan, një skenar që konsiderohet thuajse i pamundur në rrethanat aktuale politike.
Për momentin, mesazhi i Ruttes është i thjeshtë: NATO është e bashkuar dhe “partneriteti transatlantik” mbetet i pazëvendësueshëm, pavarësisht “stuhive” diplomatike që mund të shkaktohen kohë pas kohe.