Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën prezantoi kornizën e re për sigurimin e mjeteve financiare për Ukrainën, duke thënë se sot është një “ditë historike” për BE-në.
Von der Leyen propozoi që Bashkimi Evropian të sigurojë dy të tretat e nevojave financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, në vlerë rreth 90 miliardë eurosh, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga partnerët ndërkombëtarë.
Ajo paraqiti dy mënyra për financimin:
1. Huamarrja nga BE-ja
BE-ja do të merrte para nga tregjet e kapitalit, duke përdorur buxhetin e unionit si garanci.
2. “Kredia e reparacioneve”
Në këtë skemë, BE-ja do të përdorte fitimin nga pasuritë e ngrira të Rusisë dhe do t’i jepte Ukrainës këto fonde si kredi.
Kievi do të duhej t’i kthente paratë vetëm nëse Rusia paguan reparacionet e luftës; në të kundërtën, asetet ruse do të mbeteshin të ngrira.
Të dy opsionet kanë synim të mbulojnë zbrazëtirat në buxhetin ukrainas dhe të financojnë ndihmën ushtarake – kryesisht duke blerë mallra evropiane dhe ukrainase.
Von der Leyen: “Kemi adresuar shqetësimet e Belgjikës”
Presidentja e Komisionit tha se propozimi i ri i BE-së ka marrë parasysh pothuajse të gjitha shqetësimet e Belgjikës lidhur me përdorimin e aseteve të ngrira ruse.
Ajo theksoi se plani përfshin masa të forta mbrojtëse dhe mekanizma për të minimizuar rreziqet ligjore.
Rreth 190 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse ndodhen aktualisht në Belgjikë. Autoritetet belge kishin frikë se institucioni financiar Euroclear mund të përballej me padi nëse Rusia do ta kundërshtonte përdorimin e aseteve të saj.
Komisioneri i BE-së për ekonominë, Valdis Dombrovskis, prezantoi mekanizma juridikë që synojnë të mbrojnë Belgjikën dhe vende të tjera nga detyrimi për të kompensuar ndonjë aset të përdorur.
Dombrovskis tha se vendet e BE-së do të garantonin kredinë për Ukrainën, duke mbuluar një “rrezik shumë të ulët” që mund t’u kërkohej t’i paguanin Rusisë.
Po ashtu, klauzula e “moskërkimit” parandalon çdo kërkesë ndaj aseteve shtetërore brenda BE-së, dhe përfshihen dispozita edhe për mbrojtje kundër padi-ve në shtetet e treta.
Qëndrimi i Belgjikës: “Kredia e reparacioneve është opsioni më i keq”
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevot, pak para takimit të sotëm në Bruksel, tha se Belgjika e konsideron opsionin e kredisë së reparacioneve si më të keqin.
Ai paralajmëroi se ky mekanizëm përfshin rreziqe të mëdha ekonomike, financiare dhe ligjore, duke shtuar:
“Nuk është e pranueshme të përdoret ky fonde dhe të na lihet vetëm përballja me rreziqet.”
Plani i Komisionit: 163 miliardë dollarë për Ukrainën
Sipas planit, vendet e BE-së do t’i jepnin Ukrainës rreth 163 miliardë dollarë në formë kredie.
Kjo shumë nuk konfiskohet, por shndërrohet në kredi që Ukraina do ta kthente vetëm pasi Rusia të paguajë reparacionet për dëmet e luftës.
Asetet ruse të ngrira do të përdoren për të mbështetur ekonominë dhe përpjekjet e mbrojtjes së Ukrainës për dy vitet e ardhshme.
SHBA mbështet planin – Ursula von der Leyen e konfirmon
Von der Leyen njoftoi se SHBA ka mbështetur përdorimin e aseteve të ngrira ruse për këtë qëllim.
Ajo shtoi se Uashingtoni është informuar për propozimin dhe e ka pritur “pozitivisht”.
Qeveria e Donald Trumpit, në versionin origjinal të planit të saj të paqes për Ukrainën, kishte propozuar një model tjetër përdorimi të aseteve të ngrira:
-
rreth 100 miliardë dollarë do të investoheshin në Ukrainë,
-
50% e fitimit do të shkonte në SHBA,
-
pjesa tjetër do të investohej në një instrument të përbashkët amerikan–rus për forcimin e marrëdhënieve dhe parandalimin e konflikteve.