Ambasada e SHBA-së ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, duke thënë se bllokimi i certifikimit të Listës Serbe dëmton stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik, i pezulluar që nga shtatori për shkak të rritjes së tensioneve nga Qeveria Kurti.
Në reagim thuhet se “përpjekjet e VV-së për të bllokuar pjesëmarrjen e Listës Serbe janë shkurtpamëse dhe përçarëse”, dhe se të gjithë qytetarët duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat demokratike.
Të martën, dy anëtarët e VV-së në KQZ votuan kundër certifikimit të Listës Serbe, shtatë abstenuan, ndërsa vetëm dy votuan për – duke bërë që partia më e madhe e serbëve të mos marrë votat e nevojshme. Situatë e njëjtë ishte edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 12 tetorit, kur PZAP urdhëroi certifikimin.
Reagime kritike erdhën edhe nga ambasadorët e Britanisë dhe Gjermanisë. Jonathan Hargreaves paralajmëroi se veprime të tilla rrezikojnë reputacionin multietnik të Kosovës dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa ambasadori gjerman Rainer Rudolph e quajti votimin një sjellje penguese që cenon integritetin e procesit zgjedhor.