Mijëra qytetarë protestojnë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, nesër dëshmon James Rubin
Mijëra njerëz u mblodhën sot në Hagë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në protestë u kërkua reagim ndërkombëtar, ndërsa u theksua se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës në Kosovë përbëjnë edhe fyerje ndaj NATO-s, raporton Gazeta Express.
Tubimi u zhvillua vetëm një ditë para se avokatët e mbrojtjes të nisin paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Mes dëshmitarëve pritet të paraqitet edhe ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili dëshmon nesër.
Sipas Gazetës Express, ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor ndaj tyre është kritikuar shpesh për zgjatjen e tejzgjatur, ndërsa tashmë konsiderohet se ka hyrë në fazën përfundimtare.