SHBA pezullon për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se kanë pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Sipas Gazetës Express, Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar se veprimet e Qeverisë Kurti “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Shtetet e Bashkuara theksuan se mbeten të përkushtuara për të çuar përpara interesat e përbashkëta me popullin e Kosovës dhe se shpresojnë që në të ardhmen, “kur të jetë e përshtatshme”, dialogu të vazhdojë.
Dialogu Strategjik, i cili ishte paralajmëruar nga presidentja Vjosa Osmani pas takimit me ish-zëvendëssekretarin amerikan Richard R. Verma në janar të këtij viti, kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve.
Çfarë është Dialogu Strategjik?
Dialogu Strategjik është një mekanizëm që SHBA ka vendosur me shumë shtete për të forcuar marrëdhëniet, bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta në fusha si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Përmes tij, SHBA synon të rrisë sigurinë dypalëshe, të nxisë inovacionin dhe prosperitetin ekonomik, si dhe të mbështesë vlerat demokratike dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Aktualisht, SHBA ka Dialog Strategjik me vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Greqia, Sllovenia, Egjipti e Katari. Në Ballkanin Perëndimor, këtë nivel marrëdhëniesh e kanë arritur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia po tenton të vendosë një të tillë. Maqedonia e Veriut ishte e para nga rajoni që nënshkroi Dialogun Strategjik me SHBA më 2 qershor 2022 në Uashington.
/Gazeta Express/