SHBA pezullon Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Kurtit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të suspendojnë Dialogun Strategjik me Kosovën, si pasojë e veprimeve dhe deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat sipas tyre kanë rritur tensionet dhe kanë cenuar stabilitetin.
Lajmin e ka raportuar Gazeta Express, duke cituar paralajmërimin e dhënë nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila për “KOHA”-n tha se vendimi i SHBA-së do të bëhej publik.
Sipas Express, arsye kryesore e pakënaqësisë së Uashingtonit ishte tentativa e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të tetorit – përkundër paralajmërimeve të qarta të Ambasadës Amerikane se serbët e Kosovës duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces”, kishte deklaruar Ambasada Amerikane pas takimit të Prattipati me Kurtin.
Pas kësaj beteje në KQZ, përplasja u zhvendos në Kuvend, ku Vetëvendosje tentoi ta lërë Listën Serbe pa nënkryetar, duke e konsideruar megjithatë Kuvendin si të konstituuar. Ky veprim nxiti ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi punën e Kuvendit deri më 30 shtator.
Në reagimet e mëvonshme, Kurti e quajti Kushtetuesen të kapur nga partitë e vjetra, ndërsa Glauk Konjufca paralajmëroi se çdo skenar që pengon punën e Kuvendit do të ishte “tradhti shtetërore”. Në të njëjtën kohë, Albulena Haxhiu deklaroi se Kosova është “shtet unitar dhe jo multietnik”, duke sfiduar qasjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ambasada e SHBA-së dhe diplomacitë e tjera perëndimore kanë përsëritur se vetëm Gjykata Kushtetuese ka mandat të interpretojë Kushtetutën dhe se masa e saj 30-ditore duhet respektuar.
/GazetaExpress/