Osmani për shkollimin privat të vajzave: “Shpenzoj rreth 15 mijë euro në vit, por nuk është shuma totale”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar se shpenzon rreth 15 mijë euro në vit për shkollimin privat të dy vajzave të saj, por theksoi se kjo nuk është shuma e plotë.
Deklarata erdhi pas debatit të hapur nga mediumi Paparaci, kameramani i të cilit u arrestua të mërkurën teksa filmonte automjetet zyrtare pranë shkollës ku mësojnë vajzat e presidentes.
“Nuk është ai çmimi total. Natyrisht që është i lartë, për fat të keq. Në Kosovë shumë gjëra janë të shtrenjta”, tha Osmani gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Presidencë.
Ajo e justifikoi këtë zgjedhje duke theksuar mundësitë e saj financiare:
“Punoj tash 26 vjet. Edhe para se të futesha në politikë kam pasur mundësi financiare për shkollimin privat të vajzave. Kam ligjëruar në Kosovë dhe SHBA, kam pasur tri vende pune. Nëse nuk shpenzoj për shkollimin e vajzave, për çka do të shpenzoj? Nuk bëj shpenzime luksi, gjithçka ua dedikoj atyre”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se çmimi është i lartë, por “jo aq i lartë sa po e paraqesin disa gazetarë”.