Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, dhe ish-drejtorit të Kadastrës, Hysen Muzliukaj, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen se më 25 prill 2021, duke tejkaluar kompetencat dhe duke e paraqitur një pronë të AKP-së si pronë komunale, i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vlerë prej 125 mijë e 100 euro.
Prokuroria thotë se veprimet janë kryer gjatë kohës kur Agim Bahtiri ishte kryetar i Mitrovicës së Jugut, ndërsa Mujka shërbente si nënkryetar e Muzliukaj si drejtor i Drejtorisë së Kadastrës.
Përveç kësaj, Faruk Mujka akuzohet edhe për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë. Prokuroria ka propozuar që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese.