Presidentja Osmani: Sot dërgoj komentet në Gjykatën Kushtetuese, “institucionet s’mund të bllokohen

Osmani: Askush s’ka të drejtë t’i bllokojë institucionet – sot i dorëzon komentet në Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që sot t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, një proces që tashmë është zvarritur.

Këshilltari për media i saj, Bekim Kupina, ka konfirmuar për Gazetën Express se Osmani do të respektojë afatin e përcaktuar nga Gjykata, ndërsa ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i qartë: askush nuk duhet të ketë të drejtë t’i bllokojë institucionet dhe, si rrjedhojë, as shtetin.

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime dhe duke pezulluar procedurat për formimin e qeverisë së re. Kjo masë u vendos pas kërkesës së Listës Serbe, pasi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, më 30 gusht shpalli të përfunduar seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Osmani thekson se të drejtat e komuniteteve janë të pandashme nga respektimi i ligjeve të Kosovës dhe nuk mund të përdoren për të cenuar funksionimin e institucioneve.