Banjska, 2 vite pas: Pse u lejua grupi i Radojiçiq të shpëtonte? Sveçla: Terreni dhe vegjetacioni i ndihmuan të tërhiqen

Dy vite pas Banjska-s: Sveçla mohon “lejimin e ikjes” së grupit të Radoiçiq-it, tregon rolin e terrenit

Dy vite pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka folur në një intervistë për “Top Story” mbi ngjarjen dhe operacionin e Policisë së Kosovës kundër grupit paramilitar serb të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Sveçla tha se sulmi ishte i organizuar dhe i mbështetur me armatim të rëndë që Policia e Kosovës nuk e posedon, ndërsa elementet e befasisë i dhanë avantazh grupit agresor.

I pyetur pse u lejua grupi të largohej, ai mohoi kategorikisht:
“Askush nuk i ka lënë të ikin. Ka pasur vetëm urdhër që të neutralizohen ose arrestohen.”

Sipas tij, vështirësitë e terrenit dhe vegjetacioni i dendur ndihmuan agresorët të shpërndaheshin në grupe të vogla dhe të humbnin gjurmët në kodra. “Droni i ka parë duke ikur, por ata u zhdukën pas relievit dhe vegjetacionit të lartë,” tha Sveçla.

Ai i quajti “përpjekje për ta zbehur fitoren e Policisë së Kosovës” akuzat se terroristët janë lënë qëllimisht të tërhiqen, duke theksuar profesionalizmin dhe suksesin e policisë në atë operacion.