Klinaku pas akuzës për kanosje ndaj Kurtit: Postimi im ende qëndron, nuk ka vepër penale
Pas seancës së shqyrtimit fillestar, Faton Klinaku ka deklaruar se aktakuza për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk përmban elemente të veprës penale.
Ai tha se postimi i tij në Facebook, i bërë para dy vitesh, vazhdon të qëndrojë online dhe se nuk ka arsye për ta fshirë.
“Postimi im figuron ende, nuk e heq sepse nuk ka vepër penale. Ne luftën e kemi bërë si pjesëtarë të UÇK-së për ta pasur shtetin dhe drejtësinë tonë. Procesi gjyqësor do të vazhdojë, ndërsa përmes avokatit do të kërkojmë hedhjen e aktakuzës”, tha Klinaku.
Ndërkohë, Nuredin Selmani u shpreh se Kurti nuk duhet të frikësohet nga ai, por nga “historia”.
“Albin Kurti të mos ketë frikë nga unë, por nga historia që një ditë do ta dënojë. Ky ‘tuc’ duhet të përgjigjet para Prokurorisë për paratë e popullit”, tha Selmani.
Klinaku dhe Selmani po përballen me akuza për kanosje ndaj kryeministrit Kurti.