ASK: Qeveria shpenzoi gati 785 milionë euro në tremujorin e dytë, 106 milionë më shumë se vitin e kaluar
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në tremujorin e dytë të vitit 2025 kanë arritur në 784.9 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, kjo është një rritje prej 105.8 milionë eurosh.
“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2025 ishin 784.9 milion Euro, ndërsa në TM2 2024 ishin 679.1 milion Euro”, thuhet në publikimin e Llogaritjes Qeveritare nga ASK.
Sipas të dhënave, pjesën më të madhe të shpenzimeve e zënë:
-
kompensimi i punëtorëve (28%);
-
kontributet sociale dhe përfitimet (26%);
-
formimi i kapitalit bruto (15%);
-
konsumi i ndërmjetëm (14%).
Pjesa tjetër e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në tremujorin e dytë të vitit 2025 kanë arritur në 972.6 milionë euro, nga 782.6 milionë euro sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë:
-
tatimet në produkte (64%);
-
tatimet rrjedhëse në të ardhura (16%);
-
aktivet dhe detyrimet financiare (10%).
Pjesa tjetër është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

