Rashiq: Pa nënkryetarin serb, Kuvendi nuk është i konstituar – befasia nga deklarata e Bashës
Pas shpalljes së Kuvendit të Kosovës si të konstituar nga kryetari Dimal Basha, ndonëse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, deputeti Nenad Rashiq ka vënë në dyshim legjitimitetin e këtij procesi.
“Unë e konsideroj që Kuvendi nuk është konstituuar plotësisht, sepse i mungon një nënkryetar nga komuniteti serb. Kam shpresuar që procesi do të përfundonte, por kjo nuk ndodhi. Pa këtë përfaqësim, nuk mund të konsiderohet konstituim”, tha ai për Front Online.
Rashiq u shpreh i befasuar me mënyrën si Basha e shpalli të mbyllur seancën të shtunën. “Nuk është qasje e drejtë. Shpresoj që do të kthehemi në pikën zero, sepse nuk ka kuptim të vazhdohet më tej me këtë konstatim”, tha ai.
Deputeti serb kërkoi ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se kjo mund të ndodhë brenda javës. “Me siguri Gjykata Kushtetuese do të reagojë këto ditë, ndoshta deri në fundjavë me një masë të parakohshme”, shtoi Rashiq.
Ai komentoi edhe arsyet e mosvotimit të tij nga opozita, duke thënë se deputetët janë frikësuar se votimi për të mund të ishte kundërkushtetues. Sipas tij, kjo ka qenë më shumë mungesë guximi sesa qëndrim politik.
“Deputetët duhet të marrin vendime të qarta, pro ose kundër, pa abstenime. Mungesa e votimit nuk është qëndrim politik, por mungesë guximi për ta përmbyllur me sukses procesin”, deklaroi Rashiq.