Osmani po analizon procesin e konstituimit të Kuvendit, ekipi ligjor i Presidencës në shqyrtim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke analizuar procesin e konstituimit të Kuvendit, pas debatit të hapur nga vendimi i kryeparlamentarit Dimal Basha për ta shpallur të përfunduar seancën konstituive.
Nga Presidenca u njoftua se Osmani e ka informuar Bashën për këtë gjatë takimit të sotëm.
“Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Presidenca shtoi se Osmani do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.