Rashiq kundër shpalljes së Listës Serbe terroriste: Nuk është në frymën e demokracisë
Deputeti serb, Nenad Rashiq, ka deklaruar se nuk e sheh si të drejtë shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste, pavarësisht problemeve që ai thotë se i ka përjetuar personalisht nga kjo parti.
“Nuk konsideroj që kjo është zgjidhja e duhur, edhe pse nga Lista Serbe unë përjetoj probleme që ju nuk mund t’i paramendoni. Megjithatë, edhe pse janë të tillë, unë nuk jam për një veprim të tillë, për një arsye të thjeshtë: këto veprime nuk janë në frymën e demokracisë që ne dëshirojmë të ndërtojmë”, tha Rashiq për KosovaLive.
Ai komentoi edhe vendimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit. Sipas Rashiqit, ky hap nuk ka qenë i drejtë.
“Nuk kam pritë – me çdo respekt ndaj kryetarit Basha – që do të konstatojë atë ditë konstituimin, sepse sipas meje nuk është konstituuar dhe duhet të presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai për T7.
Rashiq shtoi se votimi për kandidaturën e tij nuk do të ishte kundër Kushtetutës.
“Çështja e mosvotimit tim nuk lidhet me emrin tim, por me atë se a konsiderohet kundër Kushtetutës. Unë kam argumentet e mia që votimi për mua nuk është absolutisht kundër Kushtetutës”, u shpreh ai.