Osmani në Ditën e të Zhdukurve: Regjimi i Vuçiqit po mban peng zbardhjen e fatit të tyre, kërkohet më shumë presion mbi Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, tha se ende 1584 qytetarë të Kosovës mbeten të zhdukur, duke e cilësuar këtë si plagë të hapur për vendin.
Ajo theksoi se varrezat e hapura janë dëshmi e gjallë e krimeve të luftës dhe e krimit të përsëritur nga regjimi gjenocidal serb.
“Regjimi i Vuçiqit vazhdon të fle mbi varreza masive, duke mbajtur peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Është koha që partnerët ndërkombëtarë ta rrisin presionin mbi Serbinë, sepse vetëm zbardhja e fatit të tyre dhe drejtësia mund t’u japin familjeve qetësinë që meritojnë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se për sa kohë mijëra qytetarë mbeten të zhdukur, paqja në Kosovë mbetet e paplotë.