Basha e mbyll seancën konstituive pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, thërret Kryesinë të hënën
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka shpallur të përmbyllur seancën konstituive edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Basha tha se janë “ezauruar të gjitha opsionet” për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga komunitetet joshumicë: tetë kandidatura nuk morën votat e nevojshme, ndërsa dy refuzuan garën. “Meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive si të procedohet tutje, kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, deklaroi ai.
Sipas Bashës, moszgjedhja e njërit prej pesë nënkryetarëve “nuk mund të bëhet pengesë” për konstituimin e Kuvendit dhe vazhdimin e punës sipas Kushtetutës. Ai njoftoi se do të konsultojë anëtarët e zgjedhur të Kryesisë për hapat e mëtejmë.