Krasniqi: Refuzova takimin me Kurtin për Rashiqin, është e çuditshme që do konsultime për të
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zbuluar se është ftuar nga kryeministri Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Ai tha se ka refuzuar këtë ftesë, duke e cilësuar të pakuptimtë që Kurti kërkon konsultime për Rashiqin, ndërkohë që kishte refuzuar konsultimet për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“Kam refuzuar që ta takoj zotin Kurti përkundër kërkesës së tij për të diskutuar për Nenad Rashiqin. Për mua është shumë e çuditshme. Ata nuk pranuan të takoheshin as 10 minuta për të zgjedhur një kryetar Kuvendi të denjë, që s’do të ishte figurë problematike si Dimal Basha. Por për Rashiqin Kurti do edhe takim, edhe konsultime, madje edhe kompromise. Vërtet është e çuditshme”, tha Krasniqi.
Ai e akuzoi Kurtin se po e thellon krizën institucionale.