Supremja rrëzon ankesën e Kurteshit dhe Krasniqit kundër certifikimit të Listës Serbe
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e anëtarëve të KQZ-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundër vendimit të PZAP-it për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe në zgjedhjet lokale.
Në vendim thuhet se ankesa është e palejuar, pasi nuk ka bazë ligjore që një anëtar individual i KQZ-së të ankohet personalisht në Supreme për vendimet e institucionit ku vetë ushtron funksionin.
“Meqenëse nuk ka asnjë bazë ligjore që e lejon një anëtar individual të KQZ-së të jetë palë në procedurë gjyqësore në rastet kur atakohen vendimet e KQZ-së si institucion, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa është e palejuar. Për pasojë, kolegji nuk është lëshuar në shqyrtimin meritor të çështjes,” thuhet në vendim.
Kështu, certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe mbetet në fuqi.
