Skandali me shkrimin anti-UÇK: Basha mohon përgjegjësinë, sulmon mediat dhe krahasohet me Rugovën
Në gusht të vitit 2012, në revistën akademike Études caribéennes, u publikua një punim që fliste për lidhje të UÇK-së me trafikantë droge. Në këtë studim figuronte si bashkautor edhe emri i kryeparlamentarit të ri të Kosovës, Dimal Basha, krahas profesoreshës Jana Arsovska.
Pas zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit, publikimi riaktivizoi debatet dhe solli kërkesa për shkarkimin e Bashës. Ai reagoi duke mohuar çdo lidhje me pjesët për UÇK-në dhe tha se përgjegjësia i takon vetëm bashkëautores. Megjithatë, sipas praktikës akademike, bashkautorësia nënkupton përgjegjësi të plotë për përmbajtjen – siç theksuan ekspertë të fushës.
Në vend se të merrte përgjegjësinë, Basha në konferencën e tij për media sulmoi gazetarët, duke i quajtur të lidhur me qarqe të Beogradit, dhe madje krahasoi veten me Ibrahim Rugovën, duke thënë se “edhe atë e kishin quajtur tradhtar”.
Basha këmbëngul se ka shkruar vetëm kapitullin për “islamin fundamentalist” dhe se nuk ka kontribuar në pjesët që flasin për UÇK-në. Por, fakti që emri i tij figuron si bashkautor i plotë e bën të pamundur distancimin nga përmbajtja e punimit.
Reagimet kanë qenë të ashpra, por përkrahja nga bashkëpartiakët, përfshirë ministrin në detyrë Xhelal Sveçla, tregon se Basha për momentin e ka të siguruar mbështetjen brenda VV-së.