BE pezullon takimet në Qeverinë e Kosovës, s’takojnë Kurtin e ministrat derisa të formohet kabineti i ri
Pas vendimit të Gjykatës Supreme që konstatoi se ministri i Financave, Hekuran Murati, ka mbajtur në kundërshtim me ligjin njëkohësisht postin e deputetit dhe të ministrit, zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se zyrtarët e lartë të BE-së dhe shteteve anëtare nuk do të mbajnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Kufizimi vlen edhe për takimet me ministrat në detyrë, derisa të formohet një qeveri e re me mandat të plotë.
“Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë,” thuhet në letrën e datës 8 gusht 2025, të nënshkruar nga përfaqësuesi i BE-së, Aivo Orav.
