Lista Srpska paralajmëron Kushtetuesen pas shortit për nënkryetarin serb në Kuvend
Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Deputeti i kësaj partie, Igor Simiq, tha në një konferencë për media se janë shkelur rregullat dhe se zgjedhja e Nenad Rashiqit është bërë “me çdo kusht, pa votat e serbëve”.
“Lista Srpska do të çojë ankesë në Gjykatë Kushtetuese sepse rregullat janë shkelur. U bëj thirrje deputetëve shqiptarë dhe atyre nga pakicat tjera që të mos votojnë për vendime jokushtuese. Krejt kjo do të mbetet e shënuar se çfarë kanë bërë, që Rashiqin me çdo çmim ta shtyjnë në parlament,” tha Simiq.
Lista Srpska kishte propozuar Slavko Simiqin për nënkryetar, por ai dështoi të marrë votat e nevojshme në tri herë radhazi. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se kandidatura e tij ishte ezauruar sipas aktgjykimit të Kushtetueses dhe vendosi që zgjedhja të bëhet përmes shortit.
Por Lista Srpska e quajti këtë procedurë jokushtetuese dhe refuzoi të marrë pjesë në votim.
“Edhe votimi për nënkryetarin e pakicave jo-shumicë është shkelur, sepse gjithmonë është bërë në paketë, jo i ndarë. Pra, është shkelur Kushtetuta,” theksoi Igor Simiq.