Agon Maliqi: Ish-opozita të mos bie në gracka populiste, të votojë kandidatin e partisë më të madhe serbe
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka komentuar situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se jetëgjatësia e tij është e kufizuar, pasi sipas tij të gjitha partitë duket se synojnë zgjedhje të parakohshme.
Maliqi u bëri thirrje ish-opozitës që të mos bien pre e “grackave populiste”, por të votojnë kandidatin e partisë më të madhe serbe, siç e kërkon ligji, në mënyrë që të nisin afatet kohore për formimin e qeverisë.
Ai theksoi se opozita e djeshme ka për detyrim ndaj elektoratit të saj që të sigurojë numrat, së paku për një qeveri teknike, e cila do të menaxhonte vendin gjatë periudhës zgjedhore dhe deri në krijimin e ekzekutivit të ri.
“Vota për Rashiqin e zgjat krizën pa nevojë duke e çuar çështjen në Kushtetuese dhe duke e vonuar konstituimin e Kuvendit, që duket të jetë edhe synimi i kësaj manovre,” ka shkruar Maliqi.
Sipas tij, pas këtij procesi, Kuvendi duhet të shpërbëhet menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.