Arianit Koci: Nëse nuk zgjidhet kryeparlamentari deri në fundjavë, të hënën vendos tendë para Kuvendit
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar sërish lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka bërë të ditur se ka biseduar me një anëtar të PDK-së, i cili i ka thënë se partia do ta votonte vetëm Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit, por jo ndonjë kandidat tjetër të propozuar nga Vetëvendosje.
“Nëse e propozojnë prapë Dimalin, do ta votojmë. Nëse VV propozon dikë tjetër – nuk e votojmë!”, ka qenë përgjigjja e anëtarit të PDK-së sipas Kocit.
Avokati iu ka kujtuar opozitës premtimet e dhëna publikisht, duke kërkuar që ato të mbahen:
“Leni lojërat! Ju, PDK, keni premtuar se do ta votoni çdo deputet që nuk është pjesë e qeverisë. Prandaj, mbajeni fjalën!”, ka shkruar ai.
Koci ka paralajmëruar se nëse deri në fundjavë nuk zgjidhet kryeparlamentari, të hënën e ardhshme do të vendos një tendë para Kuvendit të Kosovës.