Njësitë mjekësore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Forcave të Mbrojtjes së Hungarisë, Forcave të Armatosura Gjermane dhe Ekipit Mjekësor Zviceran kanë zhvilluar një trajnim të përbashkët për Evakuim Mjekësor Ajror (Air MEDEVAC) në selinë e misionit të KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë, ka njoftuar KFOR-i.
Sipas njoftimit, gjatë stërvitjes, njësitë u trajnuan për evakuimin e të plagosurve në kushte reale, përfshirë ngarkimin dhe shkarkimin e pacientëve gjatë operacioneve me avionë.
KFOR-i thekson se qëllimi i këtij trajnimi ndërkombëtar është të sigurojë që të gjitha vendet pjesëmarrëse të mund të reagojnë në mënyrë të koordinuar dhe efektive ndaj çdo situate mjekësore emergjente.
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe të vazhdueshme,” thuhet në njoftim.
Po ashtu, KFOR thekson se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në menaxhimin e sigurisë.