Deputetja Hykmete Bajrami ka ngritur shqetësime rreth mënyrës se si KESCO po i përjashton ndërmarrjet nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se një veprim i tillë bie ndesh me Ligjin për Energjinë Elektrike.
Sipas Bajramit, përjashtimi po bëhet në kundërshtim me nenin 37, paragrafi II të këtij ligji, i cili përcakton se për të përfituar nga shërbimi universal, një biznes duhet të përmbushë **njërin** nga dy kriteret: ose të ketë qarkullim vjetor nën 10 milionë euro **ose** të ketë më pak se 50 punëtorë. Por, sipas saj, KESCO po aplikon gabimisht të dy kriteret njëkohësisht si kusht për përfshirje, duke i përjashtuar të gjitha ndërmarrjet që nuk i plotësojnë **të dyja**.
“Nëse ligji kërkon vetëm njërin nga kriteret, atëherë si është e mundur që për përjashtim kërkohen të dyja? Dallimi midis ‘ose’ dhe ‘edhe’ në ligj është shumë domethënës”, theksoi ajo.
Bajrami shtoi se nuk dihet nëse kjo praktikë është rezultat i instruksioneve nga ZRRE, mungesës së njohurive, apo një qëllimi të caktuar, por paralajmëroi se veprimi i KESCO-s do të sjellë qindra padi pas 1 qershorit.
Duke u mbështetur në të dhënat e shoqatave ekonomike, Bajrami tha se kushtet ligjore për të dalë në “treg të hapur” i plotësojnë vetëm rreth 300 kompani, ndonëse ZRRE është duke përjashtuar rreth 1300 prej tyre nga shërbimi universal.