Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se takimi i zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani nuk solli ndonjë zhvillim të ri lidhur me zhbllokimin e Kuvendit. Ai tha se nuk sheh ndonjë arsye për optimizëm, pasi sipas tij, kryeministri në largim, Albin Kurti, nuk ka ndryshuar qëndrim, edhe pse është e qartë që nuk i ka votat për të ecur përpara.
“Nuk jam aspak optimist që Kurti do të ndryshojë qëndrim, sepse ai e di që nuk i ka votat për asgjë”, tha Krasniqi.
I pyetur për ndonjë lëvizje pozitive, ai u shpreh: “S’ka tym të bardhë, siç po shihet. Nuk ka tym askund”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili theksoi se pozicionet politike mbeten të pandryshuara dhe se, pa gatishmëri për kompromis, takimet e tilla nuk kanë efekt.
“Nëse nuk ka lëvizje politike, instrumenti i takimit është i padobishëm. Takimi duhet të ketë kuptim vetëm nëse ekziston vullneti për të gjetur një zgjidhje. Sot, kjo gatishmëri mungoi”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh se për të kaluar në fazën tjetër, Kuvendi ka nevojë për një kryetar unifikues. Ai tha se mirëpret mundësinë e dialogut me presidenten dhe mbështet idenë e një kandidati konsensual për kryetar Kuvendi.