Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësim pas anulimit të konferencës së paralajmëruar të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, e cila ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë. Anulimi erdhi pas protestave të udhëhequra nga përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Rohde theksoi se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe se komunikimi me publikun përbën një komponent të rëndësishëm të mandatit të tyre.
“Anulimi i konferencës për shtyp si pasojë e presionit të ushtruar nga veteranët e UÇK-së është shqetësues. Institucionet e vendit duhet të garantojnë që gjykata të ushtrojë detyrat e saj në mënyrë të pavarur dhe pa pengesa,” deklaroi Rohde.
Protesta e mbajtur para hotelit ku do të mbahej konferenca u shoqërua me fishkëllima, tymuese dhe thirrje kundërshtuese. Pas zhvillimeve, Dhomat e Specializuara njoftuan se konferenca është anuluar për arsye të sigurisë publike.