Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, gjatë vizitës zyrtare në Beograd theksoi se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian varet nga përputhja e saj me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe nga zgjidhja e çështjeve dypalëshe me Kosovën.
“Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor”, deklaroi Costa në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit është i bazuar në merita dhe përparimi varet nga përmbushja e kritereve, përfshirë lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit dhe reformën e ligjeve zgjedhore.
Vizita e Costas në Serbi ndodhi menjëherë pas vizitës së Vuçiqit në Rusi për të marrë pjesë në paradën që shënoi 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore, ku ai u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin kinez Xi Jinping – një vizitë që shkaktoi reagime të shumta në Perëndim.
Costa pranoi se shumë e këshilluan të mos e zhvillonte këtë vizitë për shkak të kontekstit të ndjeshëm politik, por tha se refuzimi i dialogut nuk është rruga përpara.
“Atmosfera në BE nuk është ideale, kryesisht për shkak të vizitës në Moskë. Megjithatë, unë besoj në progresin e bazuar në merita. Nëse ka dallime, mënyra për t’i tejkaluar ato është përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Prandaj vendosa të vij, jo të shmangem”, tha ai.
Nga ana tjetër, Vuçiq u shpreh se Serbia është e përkushtuar të përshpejtojë rrugën drejt BE-së dhe synon të hapë kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit.